
Një raport i ri i publikuar nga revista “Lancet” paralajmëron se pasojat shëndetësore të ndryshimeve klimatike po arrijnë nivele të rrezikshme, me një rritje prej 63% të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë që nga viti 1990 — duke arritur në 546 mijë në vit.
Sipas raportit, 84% e valëve të nxehtësisë që rrezikuan jetën në periudhën 2020–2024 nuk do të kishin ndodhur pa ndryshimet klimatike, ndërsa më të prekurit mbeten foshnjat dhe të moshuarit mbi 65 vjeç.
Nxehtësia ekstreme ka sjellë gjithashtu një humbje rekord prej 639 miliardë orë pune në shkallë globale — gati dyfishmë shumë se mesatarja e viteve 1990 — duke shkaktuar humbje ekonomike prej mbi 1 trilion dollarësh, ose rreth 1% të PBB-së globale.
Raporti thekson gjithashtu se vitin e kaluar u regjistruan 154 mijë vdekje të lidhura me tymin nga zjarret, ndërsa rreziku i përhapjes së dengës është rritur me 49% që nga vitet 1950.
Në të njëjtën kohë, ndotja e ajrit nga lëndët fosile shkakton rreth 2.5 milionë vdekje çdo vit, ndërsa emisionet e energjisë janë rritur me 1.6% në 2023, dhe humbja e pyjeve me 24%, duke arritur në 28 milionë hektarë.
Temperaturat globale në vitin 2024 kanë kaluar për herë të parë 1.5°C mbi nivelet para-industriale, ndërsa dekada e fundit është konfirmuar si më e nxehta e regjistruar ndonjëherë.
I publikuar pak para samitit COP30 të OKB-së në Brazil, raporti bën thirrje për investime të menjëhershme në energji të pastër, infrastrukturë rezistente ndaj klimës dhe masa mbrojtëse shëndetësore.
Megjithatë, raporti përfundon me një notë shprese: energjia e pastër përbënte 10% të rritjes globale të PBB-së në vitin 2023, duke dëshmuar se veprimi klimatik mund të sjellë përfitime të menjëhershme për shëndetin dhe ekonominë botërore.