Vendosni fjalën kyçe....

Tensione në seancën për Gërdecin: Mediu akuzon avokatin e familjes Durda, Geraldo Durda kërkon dorëheqjen e tij


Seanca gjyqësore për masakrën e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona, mes tyre edhe fëmijë, është shoqëruar me debate të forta mes palëve.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila pranoi si palë në proces familjen Durda, që humbi djalin e vogël Edison në shpërthimin tragjik të vitit 2008.

Në sallën e gjyqit, Mediu akuzoi avokatin e familjes Durda, Dorjan Matlia, se paguhet nga fondacioni Soros, duke e cilësuar si drejtor të qendrës “Respublika”, e financuar sipas tij nga ky rrjet.

“Kjo zyrë është ngritur me fondet e Soros. Me gjithë respektin për familjarët, në këtë proces nuk mund të ketë dy prokurori,” deklaroi Mediu.

Pretendimeve iu përgjigj me tone të ashpra Geraldo Durda, djali i familjes Durda, i cili i kërkoi Mediut të heqë dorë nga mandati i deputetit dhe të përballet me drejtësinë.

“Ta ka dhënë përgjigjen Gjykata e Strasburgut. Lëre mandatin e deputetit e përballu me gjykatën,” tha ai.

Pas përplasjes verbale, avokatët e Mediut kërkuan përjashtimin e gjyqtares Gjoka, duke argumentuar se nuk pranon kërkesat e tyre me shkrim dhe se prania e Geraldo Durdës në sallë e bën të pamundur vijimin e procesit.

“Këtu është fyer drejtësia, jo vetëm kjo trupë që ndodhet këtu,” tha avokati Henrik Ligori.

Gjykatës iu kërkua edhe ndërprerja e seancës, por gjyqtarja Gjoka e refuzoi: “Kërkesa juaj nuk është shkak për ndërprerjen e procesit.”

Avokati Ardian Visha u mbështet në nenin 22 të Kodit të Procedurës Penale për të kërkuar pezullimin e seancës deri në shqyrtimin e kërkesës.

Ndërkohë, prokurori Klodian Braho kërkoi administrimin e dy provave të reja: një shkresë nga Avokatura e Shtetit dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut në favor të familjes Durda, si dhe një vendim i gjykatës administrative.

Seanca për Gërdecin vijon mes tensioneve të larta, ndërsa kërkesat për përjashtime dhe ndërprerje po shtyjnë më tej përballjen ligjore për një nga ngjarjet më tragjike të pasluftës në Shqipëri.