
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku denoncoi veprimet e policisë dy javë më parë ndaj minatorëve të Spaçit që protestuan para Kuvendit edhe sot. Ajo i kërkoi qeverisë që të merrej seriozisht me këtë kategori.
Tabaku tha se në emër të PD-së ka depozituar në Kuvend miratimin e Statusit të Minatorit. Demokratja shtoi se minatorët janë grupi që penalizohet më shumë edhe pse punojnë në kushte tejet të vështira nën tokë.
“Ministrja e Ekonomisë nuk është këtu në fakt. Minatorët e Spaçit po protestojnë jashtë kësaj salle. Për trajtimin çnjerëzor që i bëri jashtë kësaj salle policia e shtetit dy javë më parë.
Dhe unë nuk kam dëgjuar absolutisht asnjë koment nga ministrja e Brendshme. Është e pa konceptueshme, që minatorët të tërhiqen zvarrë nga punonjësit e policisë. E dyta ministrja e Ekonomisë të takohet me përfaqësinë. E drejta e punës është e drejtë e shenjtë në këtë vend. Nuk mundet një kompani private t’i pengojë këto minatorë të organizohen të kenë kërkesat e tyre dhe të protestojnë për të drejtat e tyre. Në emër të PD kam depozituar në sesionin e kaluar statusin e minatorit. Që qeveria refuzoi ta marri parasysh, është një çështje shumë e rëndësishme. Sepse janë grupi që penalizohen më shumë. Punojnë me kushtet më të vështira nëntoka shqiptare që është jashtëzakonisht e pasur. Ata njerëz që punojnë me nëntokën po shfrytëzohen. I kërkoj ministres së Brendshme që të dali dhe të japë llogari për sjelljen ç’njerëzore.” tha Tabaku.