
Presidenti Trump tha se ka urdhëruar Pentagonin të “fillojë testimin e armëve bërthamore në baza të barabarta” me Rusinë dhe Kinën.
Por mbetet e paqartë nëse Trump i referohej testimit të kokave bërthamore apo raketave dhe sistemeve të tjera të shpërndarjes që i transportojnë ato.
“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, unë kam udhëzuar Departamentin e Luftës të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në baza të barabarta,” shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Ky proces do të fillojë menjëherë.”
SHBA-ja e ka kryer testin e fundit të armëve bërthamore në vitin 1992 dhe i është bashkuar Rusisë dhe Kinës në respektimin e një moratoriumi mbi shpërthimet bërthamore nën tokë, shkruan WSJ.
Trump e bëri njoftimin në Korenë e Jugut pak para një takimi të enjten me kreun kinez Xi Jinping, i cili pritet të jetë i përqendruar kryesisht te tregtia. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e nxiti postimin e tij, megjithëse presidenti rus Putin tha këtë javë se Rusia ka testuar një lloj të ri të raketave lundruese me energji bërthamore dhe një dron nënujor me energji bërthamore.