
Pasi deputetët e PS-së hodhën poshtë kërkesën e PD-së për ngritjen e dy komisioneve hetimore, njëri për çështjen “McGonigal” dhe tjetrin për zgjedhjet e 11 majit, selia blu do mbledhë nesër grupin parpamentar.
Takimi do zhvillohet në orën 12 të mesditës ndërsa theksohet që nuk duhet të ketë asnjë mungesë.
“Nesër, e premte datë 31 Tetor, ora 12:00, mbledhje e posaçme e Grupit Parlamentar të PD lidhur me situatën e krijuar sot në Kuvend me mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Lutem të mos ketë asnjë mungesë për shkak të rëndësisë së mbledhjes”, thuhet në njoftimin e grupit parlamentar të PD-së.
Pas largimit nga seanca, kreu i PD-së tha se opozitës i është mohuar e drejta kushtetuese për komisionet hetimore duke akuzuar shumicën e PS-së.
Berisha u tha gazetarëve se PD-ja dhe aleatët do mblidhen për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm të asaj që e quajti “dhunim i papranueshëm ndaj të drejtave elementare kushtetuese.”
“Pseudo mazhoranca në mënyrën më antikushtetuese i mohoi opozitës të drejtën më themelore, kushtetuese që ka në parlament Komisionin Hetimor parlamentar. E kreu këtë akt edhe pas një beteje të gjatë, disa mujore që u zhvillua në legjislaturën e parë dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kjo është një e drejtë që nuk mund të preket, një e drejtë e pakicës e patjetërsueshme. Sot ne kërkuam, kishim paraqitur me argumente të plota kërkesën për dy komisione. Për skandalin ‘McGonigal’ i cili implikon direkt Edi Ramën me një skandal të madh me ish-shefin e kundëzbulimit të FBI-së, i cili për veprimtaritë e tij vuan 6 vjet e gjysëm burg në SHBA, por në dosjen me Shqipërinë emri i Edi Ramës, lakohet dhe figuron në 13 raste.
Zgjedhjet e 11 Majit, janë zgjedhjet më të damkosura në Europë dhe më të damkosura ndofta edhe në botë sot, nga ato që janë vëzhguar. Në këto zgjedhje është faktuar nga vëzhguesit ndërkombëtar se, ligji shqiptar është dhunuar jo një herë, por me qindra e mijëra herë, janë dhunuar parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira. Ndërkohë ne si opozitë kemi me mijëra fakte, ne disponojmë me mijëra fakte, që dëshironim se me këtë Komsion Hetimor të ua paraqisnim atyre një e nga një. Edhe këtë e hedhin poshtë, çka tregon se, hapësira për opozitën në parlament është fiktive, virtuale.
Edhe ne do të mblidhemi, do të mbledhim forumet tona, do të marrim vendim për t’iu përgjigjur këtij dhunimi absolutisht të papranueshëm të të drejtave më elementare Kushtetuese të një opozite parlamentare.“ – tha Berisha.