Vendosni fjalën kyçe....

Partia e qendrës D66 del e para në zgjedhjet në Holandë


Partia e qendrës D66 shënoi një fitore të rëndësishme në zgjedhjet holandeze, duke e çuar atë në krye të formimit të qeverisë së ardhshme, ndërsa partia e kreut të partisë së djathtë PVV e Geert Wilders humbi mbështetjen.

Me 98% të votave të numëruara herët të enjten, D66 dhe Partia e Lirisë (PVV) e Wilders parashikohej të merrnin të dyja 26 vende në dhomën e ulët të parlamentit me 150 vende.

Pas një nate numërimi votash, D66 mbante një epërsi të ngushtë prej 2,300 votash nga rreth 10 milionë vota të hedhura gjithsej. Numërimi pritet të rifillojë të enjten në mëngjes.

D66 shënoi fitimet më të mëdha dhe pothuajse trefishoi vendet e saj, ndërsa partia e Wilders pësoi një rënie të fortë nga rezultati rekord në zgjedhjet e fundit në vitin 2023.

Exit Poll-et dhe rezultatet e hershme kishin treguar një fitore të ngushtë për D66 progresive, me partinë e Wilders që mbetej pas në vendin e dytë. Por numërimi i votave tregoi një rezultat pak më të fortë për partinë populiste anti-Islam.

Ndryshimi në orët e para të së enjtes ka pak gjasa të ndryshojë përbërjen e koalicionit të qeverisë së ardhshme.

Të gjitha partitë kryesore kanë përjashtuar qeverisjen me ëilders, pasi ai rrëzoi koalicionin e fundit të udhëhequr nga PVV-ja e tij, duke mos i lënë atij asnjë rrugë të mundshme drejt një shumice.

Në vend të kësaj, rezultati duket se i hap rrugën kreut të D66, Rob Jetten, për të formuar një qeveri si kryeministri më i ri i Holandës.

Por Wilders, herët të enjten, këmbënguli se do merrte drejtimin nëse PVV në fund do dilte në krye.

“Për sa kohë që nuk është 100% e qartë, D66 nuk mund të marrë drejtimin. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar këtë,” tha ai në një postim në X.

Wilders të mërkurën në mbrëmje kishte thënë se ishte i zhgënjyer që partia e tij kishte humbur vende dhe nuk kishte gjasa të ishte në qeverinë e ardhshme.

Popullariteti i 38-vjeçarit Jetten u rrit gjatë muajit të fundit, ndërsa ai bëri fushatë me premtimin për të zgjidhur mungesën e strehimit, për të investuar në arsim dhe për të trajtuar shqetësimet e emigracionit, shkruan Reuters.

Wilders, një nga krerët populistë më jetëgjatë të Evropës, është i njohur për qëndrimin e tij anti-Islam dhe jeton nën mbrojtje të vazhdueshme për shkak të kërcënimeve me vdekje. Ai kishte propozuar mohimin e të gjitha kërkesave për azil, kthimin e refugjatëve meshkuj ukrainas në Ukrainë dhe ndalimin e ndihmës për zhvillim për të financuar energjinë dhe kujdesin shëndetësor.

ëilders udhëhoqi partinë e tij drejt një fitoreje mahnitëse në vendin e parë në zgjedhjet e vitit 2023 dhe formoi një koalicion tërësisht konservator, megjithëse partnerët e tij kundërshtuan ta mbështesnin atë si kryeministër. Ai rrëzoi qeverinë në qershor për shkak të kundërshtimit të saj për të miratuar masat e tij të linjës së ashpër.

Bisedime të vështira për koalicionin

Me 76 vende të nevojshme për të formuar një koalicion qeverisës në parlamentin e Holandës, do kërkohen të paktën katër parti. Një skenar është një pakt që përfshin D66, Demokratët e Krishterë konservatorë, VVD e qendrës së djathtë dhe partinë e Gjelbër-Laburiste.

Megjithatë, ndërtimi i koalicioneve të qëndrueshme është i vështirë dhe bisedimet pritet të zgjasin me muaj.