Vendosni fjalën kyçe....

Kina bie dakord të blejë 25 milionë tonë sojë amerikane në vit, pas takimit Trump–Xi


Kina ka pranuar të blejë 25 milionë tonë metrikë sojë nga Shtetet e Bashkuara çdo vit, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur mes dy vendeve, njoftoi të enjten Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

Sipas Bessent, blerjet do të nisin menjëherë, me 12 milionë tonë që do të importohen nga tani deri në muajin janar.

Lajmi u bë publik pas takimit mes Presidentit Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping, që u zhvillua të enjten, në ditën e fundit të vizitës së Trump në Azi, përcjell AP.

Takimi u përshkrua nga presidenti amerikan si një “sukses i jashtëzakonshëm”, me Trump që tha se Uashingtoni do të reduktojë tarifat ndaj Pekinit, ndërsa Kina do të lejojë eksportin e elementëve të rrallë tokësorë dhe do të fillojë menjëherë blerjen e sojës amerikane.

“Kjo është një marrëveshje e madhe për fermerët tanë, për ekonominë tonë dhe për stabilitetin tregtar mes dy fuqive më të mëdha në botë,” tha Trump pas takimit me Xi.

Kjo marrëveshje pritet të ulë tensionet tregtare midis dy vendeve, pas muajsh tensionesh të rritura për tarifat dhe eksportet strategjike.