
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend, theksoi se reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime të rëndësishme për autonominë e sistemit gjyqësor, por paralajmëroi se mbeten ende probleme të dukshme në zbatimin e saj praktik.
“Ne po debatojmë për një çështje të së drejtës. Mirëqeverisja është procesi që e mban këtë sistem funksional, llogaridhënës dhe transparent. Projekti i reformës në drejtësi ka pësuar transformim, duke i dhënë sistemit të drejtësisë autonomi. Ishte zgjidhje moderne. Drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika,” u shpreh Xhafaj.
Ai vuri në dukje se, pavarësisht përparimeve, perceptimi publik është se reforma nuk ka sjellë ende ndikimin e pritur në cilësinë e drejtësisë.
Në këtë kuadër, deputeti socialist shprehu rezerva për mënyrën e zbatimit të hartës së re gjyqësore, duke e cilësuar atë si një proces të munguar në vizion dhe planifikim.
“Kam qenë kritik për mënyrën se si u zbatua harta gjyqësore, për mungesën e vizionit dhe strategjisë. Pa u planifikuar më parë periudha tranzitore dhe kjo hartë, periudha e transferimit të dosjeve, janë tregues të mangësive të këtij projekti. Kohëzgjatja e shqyrtimit të dosjeve gjyqësore është ende e lartë,” tha ai.
Xhafaj nuk kurseu as kritikat ndaj Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke theksuar se vendimmarrjet e tij shpesh janë të vonuara dhe joefektive.
“Kemi më shumë se dy herë staf në këshilla sesa gjyqtarë dhe prokurorë,” shtoi deputeti, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të përqendrohen te eficienca dhe cilësia e shërbimeve për qytetarët.