
Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar se Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviç mbeten nën sanksionet britanike, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i hoqën ata nga lista e zezë, përcjell REL.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Jashtme britanike theksoi se regjimi i sanksioneve të saj synon individët që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviç vazhdojnë të jenë nën sanksione për shkak të veprimeve të tilla. Sanksionet kanë qëllimin e tyre. Shpresojmë që Dodik dhe Cvijanoviç do të ndryshojnë kursin e deritanishëm dhe do të tregojnë përkushtim ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës,” – thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ky reagim vjen një ditë pas vendimit të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit Amerikan të Thesarit, e cila hoqi sanksionet ndaj Dodikut, Cvijanoviçit dhe 48 personave të tjerë të lidhur me ta, përfshirë familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt.
Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur sanksione ndaj tyre më 11 prill 2022, duke i akuzuar për përpjekje për të minuar funksionalitetin dhe legjitimitetin e shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e udhëtimit në territorin britanik dhe ngrirjen e pasurive, ndërsa Londra ka theksuar se ato nuk janë të drejtuara kundër Republikës Sërpska apo qytetarëve të saj.
Në vendimin e autoriteteve britanike thuhet se Dodik dhe Cvijanoviç kanë përdorur pushtetin e tyre për të shtyrë përpara shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, duke përdorur retorikë përçarëse dhe duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë.
Në kohën kur u vendosën sanksionet, Dodik ishte anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Cvijanoviç mbante postin e presidentes së Republikës Sërpska.