Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç mohon akuzat se qëndron pas incidenteve antiturke në Mal të Zi



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar të mërkurën çdo përfshirje në incidentet e fundit në Mal të Zi, ku në shënjestër kanë qenë emigrantët dhe shtetasit turq, përcjell REL.

Në një deklaratë për media, Vuçiq tha se “nuk kishte idenë se kjo po ndodhte” dhe e cilësoi absurde akuzën se Beogradi po ndihmonte një fushatë hakmarrjeje ndaj Turqisë për shkak se Ankaraja furnizoi Kosovën me dronë.

“Ata duhet të bëjnë një agjendë të re, sepse nuk dinë çfarë të ofrojnë përveç urrejtjes ndaj çdo gjëje serbe,” – tha Vuçiq, duke iu përgjigjur akuzave të politikanëve malazezë.

Incidentet filluan më 26 tetor, pas një përleshjeje në Podgoricë ku u plagos një banor lokal. Pas ngjarjes, në rrugët e kryeqytetit malazez u mbajtën protesta me thirrje kundër turqve, ndërsa pasuan edhe sulme ndaj personave dhe pronave të tyre.

Si reagim, Qeveria e Malit të Zi, ku bëjnë pjesë edhe parti të afërta me Vuçiqin, vendosi regjim vizash për shtetasit turq — vendim që është kritikuar ashpër nga opozita.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Ivan Vujoviq, akuzoi Vuçiqin se po përdorte Malin e Zi për të ndëshkuar Turqinë. Ai u mbështet edhe nga shkrimtari Andrej Nikolaidis, i cili tha se trazirat “mbajnë firmën e qartë autoriale të presidentit serb”.

Vuçiq i cilësoi këto deklarata si “të porositura nga Milo Gjukanoviq”.

Ndërkohë, Lidhja Evropiane në opozitë e cilësoi vendimin për vizat ndaj turqve si “akt ksenofobik dhe të rrezikshëm”, duke akuzuar qeverinë e Millojko Spajiqit se po vepron “me urdhër të Beogradit”.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat Fejziq, reagoi gjithashtu në rrjetin X, duke pyetur nëse Beogradi po “ndëshkon Turqinë përmes Malit të Zi” pas tensioneve të fundit mes dy vendeve.

Një pjesë e koalicionit qeverisës në Podgoricë, veçanërisht Fronti Demokratik, ka lidhje të ngushta me Beogradin dhe presidentin Vuçiq, duke ushqyer dyshimet për ndikimin serb në zhvillimet e fundit.