Vendosni fjalën kyçe....

SHBA heq nga lista e zezë Milorad Dodik dhe bashkëpunëtorët e tij


Shtetet e Bashkuara kanë hequr nga lista e sanksioneve ish-udhëheqësin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Željka Cvijanović, njoftoi të mërkurën Departamenti amerikan i Thesarit.

Sipas njoftimit, përveç Dodikut dhe Cvijanovićit, janë hequr nga lista e zezë edhe anëtarë të familjeve të tyre, kompanitë e lidhura me ta, si dhe disa bashkëpunëtorë të afërt.

Dodik, që drejton Aleancën e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), ishte sanksionuar dy herë më parë për shkelje të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Në të njëjtën kohë, nga programi i sanksioneve për Ballkanin Perëndimor janë hequr gjithsej 48 individë dhe entitete juridike që më parë ishin subjekt i masave ndëshkuese amerikane.

Vetëm pak javë më parë, Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) kishte hequr nga lista edhe katër persona nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Srpska, të cilët ishin përfshirë në organizimin e festimeve të paligjshme të 9 janarit — Ditës së Republikës Srpska.

Në mesin e tyre ishin Danijela Dragičević, Jelena Pajić Bastinac, Dijana Milanković dhe Goran Raković.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Republika Srpska-s kishin nënshkruar një kontratë me firmën ligjore amerikane Zell & Associates International Advocates, me qëllim lobimin për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe Cvijanovićit.

Marrëveshja përfshinte gjithashtu promovimin e dialogut midis administratës së Republika Srpska-s dhe Donald Trumpit, si dhe rishikimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe rolit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë.

Sipas dokumenteve të regjistrimit që ka siguruar Radio Free Europe (RFE), firma do t’i realizojë këto objektiva përmes komunikimit me përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në SHBA, si edhe me sektorin joqeveritar.

Deri më tani, kontratat e Republika Srpska-s me firma lobuese dhe ligjore amerikane janë fokusuar kryesisht në promovimin e investimeve dhe ofrimin e këshillave juridike, me shpenzime që kanë arritur në dhjetëra mijëra dollarë në muaj.