Vendosni fjalën kyçe....

“Raporti i OSBE/ODIHR faktoi se zgjedhjet e 11 majit s’ishin të lira e të ndershme” – Bardhi


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha sot se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira e as të ndershme, gjë që sipas tij u faktua nga raporti i OSBE/ODIHR.

Demokrati theksoi se qeveria e Ramës përdori burimet shtetërore, administratën publike, bonuset për pensionistët, subvencionet për fermerët, ndihmën sociale për të varfërit, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, licencat për të marrë votën.

Bardhi shtoi se përveç administratës dhe burimeve shtetërore, se në zgjedhjet e 11 majit pati përfshirje të grupeve kriminale që u bënë presion votuesve.

“Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Edi Rama dhe Partia Socialiste e bëri moto të fushatës së saj elektorale integrimin evropian të Shqipërisë brenda vitit 2030. Ndërkohë që premtonte pasaportën evropiane për qytetarët shqiptarë, që nënkuptonte vlerat, parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian, një realitet krejt i ndryshëm po luhej në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Sic dëshmoi raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare 2025, partia në pushtet përdori burimet shtetërore, administratën publike, bonuset për pensionistët, subvencionet për fermerët, ndihmën sociale për të varfërit, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, licencat dhe cdo mekanizëm tjetër që kishte në dispozicion me qëllim rritjen e mbështetjes për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj. Kjo, sipas vëzhguesve ndërkombëtare, praktikisht zhduku vijën ndarëse ndërmjet partisë në pushtet dhe shtetit, duke krijuar një garë tërësisht të pabarabartë ndërmjet palëve. Në raport e OSBE/ODIHR-it flitet po ashtu për presion ndaj nëpunësve publikë, komisionerëve, numëruesve, qytetarëve në qendrat e votimit, përfshirje të grupeve kriminale dhe konsolidim të kontratës së krimit të organizuar me partinë në pushtet”, tha Bardhi.