
Qeveria gjermane ka njoftuar një fond rekord prej 1.08 miliardë dollarësh për kujdesin në shtëpi të të mbijetuarve të Holokaustit për vitin 2026 — buxheti më i madh i këtij lloji në historinë e dëmshpërblimeve gjermane për Holokaustin. Vendimi vjen në një kohë kur popullsia e mbijetuar po plaket dhe nevojat për kujdes janë në rritje, përcjell JPost.
Fondet u siguruan pas negociatave mes qeverisë gjermane dhe Konferencës për Kërkesat Materiale Hebraike ndaj Gjermanisë (Claims Conference). Stuart E. Eizenstat, përfaqësues i organizatës, deklaroi se buxheti i ri do t’u mundësojë të gjithë të mbijetuarve që ndodhen në listat e pritjes të marrin ndihmë për kujdes në shtëpi.
“Edhe pse numri i të mbijetuarve ka rënë, nevojat e tyre janë rritur ndjeshëm. Ata që kanë kaluar të 80-at e 90-at kërkojnë kujdes të vazhdueshëm,” tha Eizenstat, duke theksuar se ky ishte një nga negociatat më të vështira, por edhe më kuptimplote që nga viti 2009.
Sipas të dhënave të Claims Conference, aktualisht ka rreth 200 mijë të mbijetuar të Holokaustit në mbarë botën, me një moshë mesatare 87 vjeç. Gjysma e tyre pritet të ndërronin jetë deri në vitin 2031. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve që jetojnë në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik ndodhen nën ose pranë kufirit të varfërisë, ndërsa në SHBA dhe Izrael kjo përqindje arrin në rreth 30%.
Eizenstat theksoi se përveç fondeve për kujdes në shtëpi, marrëveshja përfshin edhe mbështetje për të ashtuquajturit “Righteous Rescuers” — persona johebrenj që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Në të njëjtën kohë, Gjermania ka zgjatur mbështetjen e saj për programet e edukimit mbi Holokaustin deri në vitin 2029, duke akorduar 205 milionë dollarë për katër vitet e ardhshme.
“Ndërsa dëshmitarët okularë po zhduken, kemi nevojë më shumë se kurrë për edukim mbi Holokaustin, në një periudhë të rritjes së antisemitizmit dhe mohimit të historisë,” tha Eizenstat, duke shtuar se mesazhi më i rëndësishëm që duhet të mbetet është toleranca dhe humanizmi.