
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i PD-së Sali Berisha ka deklaruar se Reforma në Drejtësi ka dështuar dhe ka futur sistemin gjyqësor në kolaps të plotë.
Ai e cilësoi analizën e bërë në Kuvend si një ngjarje të rëndësishme, ku sipas tij u tha e vërteta në sy të qytetarëve.
Berisha akuzoi se reforma e mbështetur nga aktorë ndërkombëtarë dhe e ndërtuar mbi modelin e “reformës së Soros” ka sjellë standarde absurde në sistemin gjyqësor shqiptar.
“Ka një vend në planet, jo në Mars, ku zbardhja e vendimit të gjykatës kërkon 1200 ditë” – tha ai.
Ai përgëzoi drejtuesit e institucioneve që sipas tij patën kurajën të pranojnë publikisht se qytetarët shqiptarë presin deri në 16 vite për një proces gjyqësor, ndërsa progresi vjetor është vetëm 16 ditë më pak.
Berisha shtoi se korrupsioni në sistem është 3 deri në 5 herë më i lartë se më parë dhe se ata që e imponuan këtë reformë nuk kanë as moralin dhe as integritetin për të kërkuar falje për pasojat që ka sjellë.
“Sot të dhënat e padiskutueshme faktojnë dështimin dhe kolapsin e sistemit që u krijua mbi bazën e reformës së Soros. Ata që mbështetën reformën përpiqen tani me shpifje e mashtrime të mbulojnë dështimin e tmerrshëm… Korrupsioni është 3-5 fishuar” – deklaroi Berisha.