
Udhëheqësi i ushtrisë së Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, ka konfirmuar tërheqjen e trupave nga El-Fasher, bastioni i fundit i ushtrisë në perëndim të vendit, pasi forcat paramilitare RSF (Rapid Support Forces) shpallën kontrollin e plotë mbi qytetin, përcjell BBC.
Në një fjalim televiziv, Burhan tha se kishte miratuar tërheqjen “në përgjigje të shkatërrimit sistematik dhe vrasjeve të civilëve”, duke theksuar se vendimi u mor në marrëveshje me drejtuesit lokalë “për të mbrojtur jetët e mbetura dhe për të shmangur shkatërrimin total të qytetit”.
Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për raportimet e mizorive të kryera nga RSF në ditët e fundit dhe kanë bërë thirrje për krijimin e korridoreve të sigurta për civilët e bllokuar. RSF i ka mohuar akuzat për vrasje të civilëve.
Rënia e El-Fasher përbën një pikë kthese të rëndësishme në luftën civile që ka nisur në prill 2023, e cila ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur afro 12 milionë njerëz. Me marrjen e këtij qyteti, RSF tashmë kontrollon të gjitha pesë kryeqytetet e provincave të Darfurit, duke forcuar administratën e saj paralele në rajon.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh “thellësisht i shqetësuar” për situatën në El-Fasher dhe dënoi shkeljet e raportuara të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Ai kujtoi se rrethimi 18-mujor i qytetit ka sjellë urinë, sëmundje dhe dhunë të përditshme ndaj civilëve.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi gjithashtu për rritjen e krimeve me motive etnike në El-Fasher, duke u kërkuar vendeve me ndikim të veprojnë për t’i ndaluar mizoritë dhe të sigurojnë përgjegjësi për autorët.
Në fjalën e tij, gjenerali Burhan akuzoi komunitetin ndërkombëtar për mosveprim dhe u zotua se do të vazhdojë luftën “derisa toka të pastrohet nga tradhtarët”.
“Ne mund ta përmbysim situatën sa herë të jetë nevoja dhe do ta rikthejmë çdo pëllëmbë toke të ndotur nga këta tradhtarë në gjirin e kombit,” tha ai.
El-Fasher ishte pika e fundit strategjike e ushtrisë në rajonin e gjerë të Darfurit, i cili prej më shumë se një viti ka qenë nën rrethim të ashpër dhe mungesë të theksuar ushqimi.