Vendosni fjalën kyçe....

Trump e Xi do diskutojnë uljen e tarifave SHBA-Kinë në këmbim të masave të Pekinit ndaj fentanilit


SHBA-ja do hiqte disa tarifa ndaj Kinës nëse Pekini merr masa ndëshkuese ndaj eksportit të kimikateve që prodhojnë fentanilin, në kuadër të një kornize tregtare që Presidenti Trump dhe kreu kinez Xi Jinping pritet të diskutojnë të enjten, thanë njerëz të njohur me bisedimet.

Kina pritet të angazhohet për më shumë kontrolle mbi eksportin e të ashtuquajturave kimikate pararendëse të përdorura për të prodhuar fentanilin, një opioid sintetik që fajësohet për qindra mijëra vdekje në SHBA nga mbidoza e drogës vitet e fundit. Në këmbim, SHBA-ja mund të ulë me 20% tarifat e lidhura me fentanilin mbi mallrat kineze me deri në 10 pikë përqindjeje, thanë burimet.

Marrëveshjet e pritshme janë subjekt i ndryshimeve dhe varen nga takimi i dy krerëve. Hollësitë pritet të finalizohen në negociatat pasuese.

Nëse SHBA-ja do ulte tarifën e fentanilit mbi mallrat kineze në 10%, kjo do e çonte tarifën mesatare mbi shumicën e importeve kineze – aktualisht rreth 55% – në rreth 45%. Kjo do afronte normën mesatare të tarifave të Kinës me ato të partnerëve të tjerë tregtarë, duke ulur potencialisht konkurrueshmërinë e çmimit të mallrave të prodhuara jashtë Kinës dhe duke rritur atraktivitetin relativ të prodhimeve të bëra në Kinë për blerësit amerikanë.

Mallrat nga India dhe Brazili përballen me tarifa 50%, dhe administrata Trump ka thënë se mallrat kineze të transportuara përmes kombeve të Azisë Juglindore do përballen me tarifa 40%, shumë më të larta se norma 19%-20% për mallrat e tjera nga rajoni. Administrata arriti dy marrëveshje tregtare dhe dy korniza marrëveshjesh me kombet e Azisë Juglindore këtë javë që përfshinin dispozita për të parandaluar Kinën të eksportojë mallra përmes ekonomive të tyre me çmime nën treg.

Vendosja e tarifave ndaj Kinës më afër taksave 40% të kërcënuara për kombet e Azisë Juglindore do zvogëlonte nxitjen për firmat kineze që të transportojnë mallra përmes atyre ekonomive drejt SHBA-së, ndërsa potencialisht do motivonte më shumë tregti të drejtpërdrejtë midis Kinës dhe SHBA-së.

Negociatat për fentanilin adresojnë një çështje të kahershme midis Uashingtonit dhe Pekinit. Ajo është pjesë e një kornize më të madhe tregtare të zhvilluar gjatë fundjavës midis negociatorëve kinezë të nivelit të lartë dhe një ekipi amerikan të udhëhequr nga Sekretari i Thesarit Scott Bessent, i cili e quajti kornizën “shumë të suksesshme”.

Në kuadër të kornizës, Kina pritet të angazhohet edhe për blerje të rëndësishme të sojës amerikane, tha Bessent në një intervistë për CBS Neës të dielën, duke sjellë potencialisht lehtësim për fermerët amerikanë të goditur rëndë nga humbja e blerësve kinezë këtë vit.

Pekini vendosi tarifa hakmarrëse ndaj sojës amerikane më herët këtë vit në përgjigje të taksave 20% të lidhura me fentanilin të vendosura mbi mallrat kineze. Negociatorët kinezë kanë këmbëngulur se Kina nuk do heqë taksat e saj hakmarrëse dhe të rifillojë blerjet e sojës amerikane derisa SHBA-ja të heqë tarifat e fentanilit.

Nëse miratohet, korniza do lehtësonte tensionet që tronditin tregun midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Më herët këtë muaj, Kina shtrëngoi kontrollet mbi metalet e rralla, një sektor që ajo e dominon, duke tronditur potencialisht zinxhirët globalë të furnizimit që mbështeten tek ato për të prodhuar gjithçka, nga automjetet elektrike te avionët luftarakë. Në këmbim, Trump kërcënoi me një tjetër tarifë 100% ndaj Kinës.

Tani, në kuadër të kornizës së re, SHBA pret që Kina të shtyjë rregullat e reja për metalet e rralla.

“Unë besoj se ata do e shtyjnë atë për një vit ndërsa e rishikojnë,” tha Bessent në një intervistë për ABC News të dielën.

Shtyrja e pritshme e kontrolleve të fundit të Kinës mbi metalet e rralla do të thotë se kërcënimi i Trump-it për të vendosur një tarifë 100% mbi të gjitha mallrat kineze deri më 1 nëntor tani është “efektivisht jashtë tryezës”, i tha Bessent CBS News.

Negociatorët kinezë po presin gjithashtu që SHBA-ja të ngrijë veprimet e reja të mundshme të politikave të konsideruara si të dëmshme për Kinën, të tilla si kontrollet mbi eksportet e prodhimeve të bëra me softuerin e SHBA-së, thanë burimet e njohura me negociatat. Bessent i tha CBS Neës të dielën se nuk ka pasur ndryshime në kontrollet e eksportit të SHBA-së.

Është e paqartë se si korniza do ndikonte në një sërë kufizimesh të ndryshme mbi metalet e rralla që Pekini njoftoi në prill. Sistemi i licencimit i krijuar sugjeron se autoritetet mund të rrisin përsëri kufizimet mbi metalet e rralla nëse SHBA-ja do vendoste politika të reja tregtare të konsideruara si të dëmshme për Kinën.

SHBA-ja dhe Kina pritet gjithashtu të ulin tarifat portuale mbi anijet e njëra-tjetrës, thanë njerëzit e njohur me negociatat.

Zëvendësministri kinez i Tregtisë, Li Chenggang, një anëtar i lartë i delegacionit tregtar të Kinës, tha se të dyja palët kanë arritur “konsensus paraprak” për shumë çështje, duke përfshirë kontrollet e eksportit, tarifat e ndërsjella, tarifat e lidhura me fentanilin, bashkëpunimin mbi fentanilin, një zgjerim të tregtisë dypalëshe dhe tarifat portuale. Të dyja palët më pas do kalojnë në proceset e miratimit të brendshëm, tha ai.

“Turbulencat dhe kthesat e tanishme janë  diçka që nuk dëshirojmë ta shohim,” tha Li.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Kash Patel, pritet të udhëtojë në Pekin për të diskutuar çështjen e fentanilit me autoritetet kineze, thanë njerëz të njohur me çështjen.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ