Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Integrimi nuk është statistikë, opozita e përjashtuar nga negociatat me BE-në


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, në fjalën e saj gjatë takimit të parë të komisionit parlamentar të Stabilizim-Asociimit, se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund të matet me statistika apo prezantime propagandistike, por me reforma të thella, transparencë dhe llogaridhënie.

“Integrimi nuk është statistikë, por ndryshim i ndershëm dhe reforma reale,” – deklaroi Tabaku, duke theksuar se procesi është kthyer në një procedurë të mbyllur, ku “as deputetët, as shoqëria civile, as bizneset nuk janë pjesë e dialogut”.

Tabaku që është njëherazi nënkryetare e këtij komisioni tha se opozita është e përjashtuar nga procesi i negociatave me BE-në,

“Në letër i kemi hapur negociatat, por është proces që po shoqërohet me mungesë transparence, opozita, shoqëria civile jashtë dialogut. Vetëm pak kohë më parë u njoftua nga Asambleja e PS riformatimi i kuvendit, pa u marrë mendimi i opozitës. Vetëm dje kemi patur seancë normale. Të gjitha kërkesat e opozitës janë rrëzuar, më vjen keq ta them por ky është regres institucional. Një sërë investimesh kundër frymës së BE, nga aeroporti i Vlorës te Porti i Durrësit”, tha Tabaku.

Sipas saj, rruga europiane e Shqipërisë është mbuluar nga mungesa e transparencës dhe përfshirjes, ndërsa qeveria po e zhvillon procesin pa konsultim me opozitën dhe publikun.

Tabaku kritikoi mënyrën e njëanshme se si mazhoranca ka ndryshuar strukturën e komisioneve parlamentare, duke e quajtur këtë “një regres institucional që ka prekur zemrën e demokracisë parlamentare.”

Në fjalën e saj, ajo ngriti shqetësimin për modelin aktual ekonomik, të përqendruar te ndërtimi dhe jo te prodhimi apo inovacioni.

“Ky model ekonomik nxit pastrimin e parave dhe korrupsionin, ndërkohë që diferencat në paga dhe pensione me vendet e BE-së mbeten të mëdha,” – theksoi Tabaku.

Deputetja solli në vëmendje edhe raste konkrete që, sipas saj, bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si aferat e Aeroportit të Vlorës dhe Portit të Durrësit, duke theksuar se “projektet publike janë kthyer në shkelje të parimeve të konkurrencës dhe transparencës.”

Një tjetër pikë thelbësore e fjalës së saj ishte liria e medias, që sipas Tabakut, është kusht i panegociueshëm për hapjen e kapitujve me BE-në.

“Asnjë vend që nuk ka liri medie nuk mund të flasë për integrim europian,” – u shpreh ajo, duke kujtuar raportet ndërkombëtare që flasin për përqendrim të informacionit dhe presione ndaj gazetarëve.

Në përmbyllje, Jorida Tabaku ritheksoi se opozita mbetet e përkushtuar ndaj rrugës europiane dhe se për PD-në, integrimi është mision kombëtar:

“Integrimi europian është detyrim ndaj demokracisë, drejtësisë dhe mundësive të barabarta. Shqipëria duhet të jetë europiane jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra,” – përfundoi Tabaku.