
Pritet të zhvillohet sot seanca paraprake për çështjen që përfshin ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa persona të tjerë të akuzuar.
Në këtë seancë do të shqyrtohen akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili ndodhet pas hekurave prej 10 shkurtit, si dhe do të vendoset nëse dosja ndaj tij do të kalojë apo jo për gjykim.
Seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve, pas ndalimit të avokatit Ulian Barjami, i cili ishte përplasur me prokurorin në sallën e gjyqit në Gjykatën e Elbasanit.
Kujtojmë se më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Veliaj, që kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e Bashkisë së Tiranës dhe ryshfete nga biznesmenë e kontraktorë të saj, përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas hetimeve të SPAK, çifti Veliaj–Xoxa dyshohet se ka përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.