
Monika Kryemadhi ka dhënë detaje mbi procesin gjyqësor ndaj saj, Ilir Metës dhe Fatime Kryemadhit, pas shtyrjes së seancës së sotme në gjykatë. Ajo ka bërë të ditur emrat e kompanive dhe personave të lidhur me pagesat për lobimin në SHBA.
Kryemadhi ka akuzuar se e gjithë çështja është stisur nga ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ka paralajmëruar se “gjuetia e shtrigave” tani do të fillojë të zbardhet.
“Një gjë pozitive sot ishte se u bënë të ditura kompanitë dhe personat që kanë paguar fatura në emër të ashtuquajturës LSI. Del në pah grushti i shtetit apo puci ndaj familjes time dhe rrethit shoqëror. Një kompani amerikane ka kryer pagesa për lobim në SHBA. Nga ky moment, akuzat për lobimin nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngarkojnë me faj kompaninë GSIS, që pranoi pagesat në emër të një partie shqiptare. Tani do të zbardhet skema e gjuetisë së shtrigave të Yuri Kim, që fatkeqësisht nuk mund të zgjidhet me një bursë në Angli për xhelatin e saj në SPAK,” deklaroi Kryemadhi.
Procesi ndaj ish-presidentit Meta dhe të afërmve të tij vazhdon, ndërsa SPAK ka paraqitur prova të reja që lidhen me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe lobim të paligjshëm.