
Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia pas një hetimi disa mujor, pasi akuzohet se shpërndante kokainë dhe kanabis.
Sipas burimeve zyrtare, operacioni antidrogë i koduar “Alfa” u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Berat, në bashkëpunim me policinë e Vlorës dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Në pranga ra A. Sh., 27 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në flagrancë duke poseduar sasi të konsiderueshme droge.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi 1.53 kilogramë kokainë, 7.5 kilogramë kanabis, një peshore elektronike, municion luftarak, një elektroshok dhe një aparat celular.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.