
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se mbështet idenë e krijimit të një Senati si dhomë e dytë legjislative, por me kusht që të ulet numri i deputetëve në Kuvend.
Ai e cilësoi këtë si një model që mund t’i shërbejë vendit, nëse senati nuk funksionon si institucion bllokues.
“Është 25–30 vite me parë që vendi të bëhet me dy dhoma. Dy dhoma: senatin dhe parlamentin. Unë jam dakord me këtë variant. Por nëse e ndërton senatin jo si një institucion bllokues, por si frenues, atëherë i bën mirë vendit” – tha Berisha.
Ai shtoi se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e vendeve që e kanë këtë strukturë, por pa e rënduar buxhetin publik.
“Senati është i dobishëm. Shumë vende e kanë, ka të tjera që s’e kanë. Shqipëria, nëse vendos të ketë senat, duhet të pakësojë numrin e deputetëve” – u shpreh ai.
Në lidhje me reformën territoriale, Berisha kërkoi rritje të numrit të bashkive dhe përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë.
“Për bashkitë them të jenë më shumë. Ne kemi vënë një kusht që është pranuar: në komisionin për Reformë Zgjedhore të jetë ODHIR, ndërsa për reformën territoriale të jenë ekspertët e kongresit të autoriteteve rajonale të Europës, pranë Këshillit të Europës” – tha ai.
Berisha theksoi se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese për reformën vendore, por është i gatshëm të mbështesë përcaktimin e senatit në Kushtetutë.
“Nuk ka asgjë për prekje të Kushtetutës aty, por nëse është problemi për të përcaktuar senatin në Kushtetutë, jam gati. S’kemi komplekse aty. Besojmë se është institucion i dobishëm. Jo duke rënduar buxhetin e taksapaguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve” – përfundoi ai.