
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj raportimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, në seancën e djeshme parlamentare, duke e cilësuar si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit.
“Kur Arben Ahmetaj thoshte se Lubia ka administruar 12 miliardë euro, të tjerët harronin vjedhjen dhe merreshin me miliardin. Po ja pra. Prisni se do dalin të tjera” – tha Berisha, duke akuzuar Dumanin se po merret me çështje të parëndësishme dhe po injoron skandalet e mëdha financiare.
Ai përmendi çështjen e check-up-it, duke e cilësuar si një aferë prej 140 milionë eurosh: “Ky bën sikur nuk ekziston. Atëherë a janë këto interesat e qytetarëve? Unë them se janë interesa jetike të qytetarëve” – u shpreh Berisha.
Duke kritikuar bilancin e SPAK për pasuritë e sekuestruara, ai shtoi: “Ky zotëri komunikon se paska sekuestruar 63 milionë euro, po kujt ia dha ato? Kush i mori ato? Ku shkuan ato?” – tha ai, duke përmendur emrin e biznesmenit Franc Çopja si shembull të larjes masive të parave.
Berisha akuzoi Dumanin për lidhje me mazhorancën dhe për mbështetje të strukturave të patronazhistëve: “Duman është një armik i egër i pluralizmit në Shqipëri sepse u shndërrua në amnistues të krimit të njohur ndërkombëtarisht elektoral. Njeri pa asnjë ndërgjegje, as profesionale dhe as njerëzore” – deklaroi ai.
Ai kritikoi qëndrimin e SPAK ndaj raportit të OSBE/ODIHR: “Po ti kur lexon se komuniteti ndërkombëtar thotë se rrjeti i patronazhistëve është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira, kurse ky thotë jo, nuk është një krim, citon Edi Ramën, jo ligjin ndërkombëtar” – tha Berisha.
Kreu i opozitës përmendi edhe një “thashethem” që, sipas tij, qarkullon në qarqet politike dhe mediatike:.
“Gosipi i qytetit thotë se edhe Lubinë po e bënte kurban pikërisht për të shuar zhurmën e raportit. Nuk mund të them se ato që thotë gosipi, janë të gosipit. Por në media lejohet se i ndjekin vetë këto” – përfundoi ai.