Të paktën 60 persona vdiqën në operacionin policor më vdekjeprurës të kryer ndonjëherë në Rio de Zhaneiro, i tha një zyrtar shtetëror Reuters-it, operacion që synonte një bandë të fuqishme pak ditë para se qyteti të presë ngjarje globale të lidhura me samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara, i njohur si COP30.
Policia shpesh ka kryer operacione në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar përpara ngjarjeve të mëdha në Rio, i cili priti ndeshjet e Kupës së Botës 2014, Lojërat Olimpike 2016, samitin G20 në vitin 2024 dhe samitin BRICS këtë vit.
Viktimat nga ato operacione ishin shumë më pak se rreth 60 të vdekurit e së martës, sipas një zyrtari shtetëror të Rios, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Ne qëndrojmë të vendosur përballë narkoterrorizmit,” shkroi Guvernatori i Rios, Claudio Castro, në rrjetet sociale në lidhje me operacionin, i cili tha se përfshinte 2,500 personel sigurie dhe 32 mjete të blinduara në të gjithë komplekset e favelave Alemao dhe Penha.
Favelat e Rios janë vendbanime të varfra, me dendësi të lartë popullsie, të gërshetuara në gjithë terrenin kodrinor buzë oqeanit të qytetit, shkruan Reuters.
Javën e ardhshme, Rio pret samitin global të kryetarëve të bashkive C40 që trajton ndryshimet klimatike dhe Çmimin Earthshot të Princit ëilliam, ku do marrin pjesë të famshëm si ylli i popit Kylie Minogue dhe kampioni i katërfishtë i Formula 1, Sebastian Vettel.
Programi është pjesë e përgatitjeve për COP30, samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara që mbahet në qytetin e Amazonës, Belem, nga 10 deri më 21 Nëntor.
Operacioni i së martës u përshkrua nga qeveria e shtetit si më i madhi i kryer ndonjëherë kundër bandës “Comando Vermelho”. Të paktën 56 persona janë arrestuar ndërsa autoritetet kërkonin të zbatonin 250 urdhra arresti dhe kontrolli, shtoi qeveria.



