Vendosni fjalën kyçe....

Xhafaj: Rrjedhja e sekreteve hetimore në media është e papranueshme, nevojiten ndërhyrje ligjore


Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka adresuar me tone kritike disa nga sfidat që përballon sistemi i drejtësisë, gjatë diskutimeve në Kuvend mbi raportimin e institucioneve të drejtësisë.

Ai vlerësoi krijimin e SPAK dhe GJKKO si një pikë kthese në luftën kundër pandëshkueshmërisë, duke theksuar se “askush nuk është mbi ligjin” dhe se pavarësia e institucioneve është thelbësore.

“Prokuroria ka evoluar drejt një modeli modern të pavarësisë së prokurorit. Krijimi i SPAK dhe GJKKO ka qenë hap vendimtar duke ndryshuar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit,” tha Xhafaj.

Ai kërkoi forcimin e statusit profesional të prokurorëve, duke përmendur ngarkesën e lartë dhe kushtet e vështira të punës: “Janë në vijën e parë të përballjes me krimin dhe presionin. Kam mbështetur me forcë garancitë për pavarësinë, karrierën dhe mbrojtjen e integritetit institucional.”

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Xhafaj ishte rrjedhja e sekreteve hetimore në media.

“Përdorimi i medias për të nxjerrë sekret hetimor është i papranueshëm. Gjyqtari dhe prokurori duhet t’i shërbejnë institucionit publik përmes ligjit dhe jo karrierës personale.”- tha ai, duke theksuar se është koha për ndërhyrje konkrete: “Jemi pak të vonuar, duhet ndërhyrje përmes mekanizmave ligjor ose me propozime të reja ligjore.”