Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha sot se çështja e inceneratorëve është testi i së vërtetës për SPAK-un.
Gjatë raportimit të kreut të SPAK-ut Dumani para deputetëve, Tabaku tha se çështja e inceneratorëve është manuali perfekt i kapjes së shtetit dhe do tregojë se sa “i vlen lëkura” prourorisë speciale.
“Zoti Dumani, e dëgjova përgjigjen tuaj. Çështjen e inceneratorëve PD e ka nisur që në vitin 2017. Në vitin 2020 kemi dorëzuar tre dosje për tre inceneratorët dhe më pas kam sjellë 12 padi të veçanta, duke nisur nga kryeministri, Engjëll Agaci, Belinda Balluku e të tjerë. Asnjë prej tyre sot nuk është përballur me drejtësinë,” deklaroi Tabaku.
“Kjo çështje është manuali perfekt i kapjes së shtetit. Dy biznesmenë erdhën me duar në xhepa dhe shkruanin vetë vendimet e qeverisë që miratoi 17 akte brenda një dite. Drejtësinë për inceneratorët e kërkojmë prej tetë vitesh, për të treguar që në Shqipëri mund të ketë shpresë. Lakmusi i SPAK është inceneratori. Kam ardhur dy herë si person në dijeni, dhe fakti që një grup prej 12 personash që nuk mund të kishin vepruar të lirë vazhdojnë të paguhen me miliona euro, tregon se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë,” tha ajo.
