
Qeveria e Malit të Zi do të miratojë të hënën, me procedurë të përshpejtuar, vendimin për heqjen e regjimit pa viza për shtetasit turq, njoftoi kryeministri Millojko Spajiq në rrjetin X.
“Do të nisnim bisedime intensive me Turqinë për të gjetur, në frymën e bashkëpunimit të mirë dhe aleancës, modelin më të mirë në interes të të dyja palëve”, shkroi ai, pa dhënë arsye për vendimin, përcjell REL.
Vendimi vjen pas një operacioni policor në Podgoricë, ku të dielën në mbrëmje u arrestuan rreth 50 shtetas turq në lagjen Zabello. Policia tha se mes tyre ndodheshin edhe dy persona të dyshuar për një përleshje me thikë që la të plagosur një banor vendas.
Gjatë aksionit, një grup qytetarësh u mblodh dhe brohoriti slogane me gjuhë urrejtjeje, duke nxitur dhunë ndaj turqve. Policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa para Ambasadës turke në Podgoricë u vendosën një numër i madh automjetesh policore.
Ministri i Brendshëm, Danilo Sharanoviq, tha se pretendimet për “100 mijë turq në Mal të Zi” janë manipulim dhe se numri real është 13 mijë, nga të cilët vetëm 80 kanë qëndrim të përhershëm. Deputeti Boris Bogdanoviq publikoi foto të arrestimeve me mbishkrimin: “Mbrojmë vendin tonë. Mbrojmë çdo shtëpi.”
Sipas policisë, arrestimet lidhen me incidente të fundit ku janë përfshirë shtetas turq që ndodhen përkohësisht në vend, ndërsa autoritetet po verifikojnë ligjshmërinë e qëndrimit të tyre.
Presidenti Jakov Millatoviq dënoi ashpër dhunën dhe gjuhën e urrejtjes:
“Bëj thirrje për qetësi dhe përmbajtje. Nuk duhet të ketë vend për faj kolektiv apo stigmatizim të një populli të tërë,” tha ai.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ervin Ibrahimoviq, kërkoi qetësi dhe theksoi se përgjegjësia është individuale:
“Në një Mal të Zi evropian nuk ka vend për dhunë e thirrje si ‘Vrite turkun’. Autoritetet duhet të reagojnë menjëherë.”
Partia e Boshnjakëve kërkoi ndëshkimin e autorëve të dhunës “pavarësisht përkatësisë kombëtare”, ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq, e lidhi ngjarjen me tensionet e fundit midis Beogradit dhe Ankarasë, pas dërgimit të armëve turke në Kosovë.
Sipas raportit të Qeverisë së Malit të Zi (SOCTA), në vend veprojnë 11 grupe të krimit të organizuar me rrezik të lartë, ku përfshihen edhe grupe turke të lidhura me trafik droge, pastrim parash dhe trafikim njerëzish.
Komisioni Evropian ka kërkuar prej kohësh që Podgorica të harmonizojë politikën e vizave me Bashkimin Evropian — një kërkesë që heqja e regjimit pa viza për Turqinë mund të ndihmojë të përmbushet.