
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, kritikoi sot kreun e Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar se po i pengon deputetët e opozitës të adresojnë pyetje ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë gjatë seancës maratonë.
“Kjo është një tallje me rregulloren e Kuvendit dhe me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, sepse ata as nuk janë zëdhënës, por po u jepen fjalët të na lexojnë edhe fjalimet. Kjo praktikë parlamentare është konsoliduar qartë gjatë 32 viteve të fundit,” tha Këlliçi.
Ai shtoi se procesverbali i vitit 2023 dhe 2024 tregon qartë momentin kur deputetët kanë të drejtë të adresojnë pyetje ndaj drejtuesve të drejtësisë, duke theksuar se maxhoranca po i heq deputetëve këtë të drejtë.
“Duhet të ketë një logjikë për pyetjet që bëjmë ndaj drejtuesve. Por ju përmendët dy drejtuesit – prokurorin e përgjithshëm dhe kreun e SPAK – të cilët gjatë punës në komisione kanë dhënë përgjigje për çdo pyetje të deputetëve të opozitës. Nuk kuptoj pse kërkoni t’i hiqni të drejtën deputetëve të këtij parlamenti të adresojnë pyetjet më shqetësuese,” tha Këlliçi.
Ai theksoi se deputetët e opozitës janë të përgatitur dhe përfaqësojnë interesin e qytetarëve të tyre, jo vetëm çështjet formale të drejtësisë, që sipas tij, është kthyer në “një levë pushteti për të goditur kundërshtarët politikë.”
“Ju lutem lejoni zhvillimin normal të seancës. Asnjë deputet nuk ka folur ende në foltore sepse ju mbyllni seancën dhe çdo seancë e kaloni në votim,” përfundoi Këlliçi.