Vendosni fjalën kyçe....

“Gjyqet stërzgjaten, gjyqtarët përballen me ngarkesë tejet të madhe” – Kreu i ILD-së Metani


Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, tha sot në Kuvend se sistemi gjyqësor po pëballet me një ngarkesë jashtëzakonisht të madhe. Gjatë raportimit të punës së ILD-së për vitin 2025, Metani theksoi se çështjet gjyqësor stërzgjaten duke ulur cilësinë e gjykimit dhe duke ulur besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë.

“Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar. Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë. Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe.” – tha Metani.

Një njëjtin shqetësim ngriti pak ditë më parë edhe Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë Joana Qeleshi. Ajo theksoi se sistemi gjyqësor është në kolaps për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve e numrit tejet të madh të dosjeve që janë mbi 50 mijë stok vetëm në Administrative.

“Ka ardhur momenti që shteti të ndërmarrë një verifikim të plotë për të vlerësuar si do zgjidhet situata. Gjyqtarët bëjnë maksimumin, por kanë kapacitete të kufizuara. Asnjë magjistrat sot nuk punon në kushte normale. Një gjyqtar i shkallës së parë ka mbi 1,500 dosje, ndërsa në Apel ka një stok prej 50 mijë dosjesh,” deklaronte Qeleshi tre ditë më parë.