Vendosni fjalën kyçe....

Dumani në Kuvend: Shqipëria përmirëson indeksin e korrupsionit, 36,7 milionë euro pasuri të konfiskuara nga SPAK


Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, raportoi sot në Kuvend mbi ecurinë e punës së institucionit që ai drejton, duke vënë në dukje përmirësimin e perceptimit publik për korrupsionin dhe rezultatet konkrete në hetimet pasurore.

“Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë” – tha Dumani, duke shtuar se “Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut.”

Ai theksoi se SPAK ka intensifikuar hetimet financiare dhe pasurore, duke përfshirë edhe veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit, si dhe transaksione me kriptovaluta.

“SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore” – u shpreh ai.

Dumani prezantoi edhe një udhëzim të ri për masat administrative dhe procedurat e hetimit pasuror, të hartuar me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë gjatë vitit 2024.

Në bilancin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, kreu i SPAK deklaroi: “Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2%.”

Ai shtoi se krahasuar me vitin 2023, ka një rritje prej 59,7% në vlerën totale të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.

 “Rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023” – tha Dumani.

Raportimi i kreut të SPAK u prit me interes nga ligjvënësit, në një moment kur lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.