Vendosni fjalën kyçe....

Dumani në Kuvend: Nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë, jemi nën presion nga krimi dhe politika


Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, raportoi në Kuvend mbi punën e SPAK gjatë vitit 2024, duke paraqitur bilancin e hetimeve, dënimeve dhe sfidave institucionale.

Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres, por mbetet e ekspozuar ndaj presioneve të jashtme dhe mungesës së mbështetjes strukturore.

“Lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme me një rritje prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale” – tha Dumani, duke shtuar se “është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%.”

Në fokus të raportit ishin edhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë: “Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Kjo përfaqëson 52,9% të rasteve” – tha ai.

Dumani vuri në dukje se referimet nga institucionet publike mbeten të ulëta: “Numri i procedimeve të filluara nga referimet e institucioneve publike zë vetëm 15,1% të totalit. Referimet nga policia e shtetit kanë shënuar një rënie shqetësuese me 53,8%” – theksoi ai.

Nga ana tjetër, ai evidentoi rritjen e besimit të qytetarëve: “Shumica e referimeve këtë vit kanë ardhur nga shtetasit, duke zënë rreth 37% të totalit. Krahasuar me vitin 2023, numri i procedimeve të nisura nga referimet e shtetasve është rritur me 36%.”

Në lidhje me masat e sigurimit, Dumani tha: “Numri i të paraburgosurve nga SPAK përbën vetëm 9,7% të totalit, ndërsa të burgosurit të dënuar nga hetimet e SPAK përbëjnë 9,5%. Për veprat penale të korrupsionit, masa ‘arrest me burg’ zë vetëm 5,1%, ndërsa për krimin e organizuar 30,84%.”

Ai konfirmoi një rritje të dënimeve të formës së prerë për zyrtarët e lartë: “Nga 9 në vitin 2023, në 10 për vitin 2024” – tha Dumani, duke shtuar se vendimet e fajësisë në shkallën e parë kanë pësuar një rënie me 9%.

Dumani u ndal në sfidat institucionale që përballon SPAK i cili pohoi se: “Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik cenon pavarësinë kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet rrezikojnë integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor” – tha ai.

Ai kërkoi reagim të koordinuar nga institucionet për mbrojtjen e integritetit të SPAK dhe evidentoi disa problematika të pazgjidhura:

  • “Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit mbetet i paqartë dhe mund të cenojë vijimësinë e hetimeve” – tha Dumani.
  • “Mungesa e këshilltarëve ligjorë vë në vështirësi cilësinë e hetimit dhe përfaqësimit në gjykatë.”
  • “Numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, përfshirë policinë, mbetet problematik.”
  • “Mos ekstradimi i shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe është një çështje e pazgjidhur.”

Ai përmendi edhe nevojën për ngritjen e një njësie analize për hetimet komplekse dhe përfundimin e sistemit të administrimit të çështjeve, i pezulluar pas përfundimit të projektit mbështetës nga ICITAP.

“Jemi nën presion nga krimi i organizuar dhe politika. Kjo kërkon mbështetje të koordinuar dhe reagim institucional për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e SPAK” – përfundoi Dumani.