
Gjatë raportimit të tij vjetor në Kuvend, kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Altin Dumani, iu përgjigj pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, lidhur me hetimet për inceneratorët dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këto çështje.
“Lidhur me inceneratorët, kemi Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. SPAK ka hetuar në kuadër të këtyre procedimeve penale 71 persona të të gjitha niveleve. Disa janë në nivele penale të formës së prerë, disa në hetim, disa në gjykim dhe po hetohet për fakte penale të tjera për këtë veprimtari kriminale” – tha Dumani.
Ai konfirmoi se për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, procedimet kanë kaluar të gjitha fazat gjyqësore: “Këto procedime kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga SPAK” – u shpreh ai.
Në lidhje me inceneratorin e Tiranës dhe pyetjen për statusin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Dumani tha: “Lidhur me pyetjen që nuk është marrë i pandehur ende Veliaj, dua të them se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar ende dhe vijojnë akoma për inceneratorin e Tiranës” – tha ai.
I pyetur për deklarimet publike të ish-ministrit Arben Ahmetaj, Dumani u shpreh se ato vlerësohen rast pas rasti.
“Për ne sot ai është person në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur” – tha Dumani.