Vendosni fjalën kyçe....

Çela për vrasjen e gjyqtarit Kalaja: Siguria në gjykata ka vend për përmirësim


Kryeprokurori Olsjan Çela ka reaguar në Kuvend lidhur me ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, duke e cilësuar si një alarm për sistemin e drejtësisë dhe nevojën për masa të reja sigurie.

“Siguria e magjistratëve… siç ishte ngjarja e rëndë ku humbi jetën një magjistrat, kjo lidhet dhe me gjendjen e godinave apo me stafet e trajnuara për sigurinë. Ka vend për të përmirësuar,” tha Çela, duke shtuar se ngjarja duhet të shërbejë si nxitje për veprim konkret.

Ai theksoi se janë bërë përpjekje institucionale për të adresuar problematikat, por incidenti ka nxjerrë në pah mangësitë në infrastrukturë dhe në protokollet e sigurisë brenda ambienteve gjyqësore.

Deklarata e Çelës vjen në një moment kur siguria e magjistratëve dhe funksionarëve të drejtësisë është rikthyer në fokusin publik, pas një ngjarjeje që ka tronditur sistemin dhe ka ngritur pikëpyetje mbi masat mbrojtëse në sallat e gjyqit.