Vendosni fjalën kyçe....

Boçi: Thethi, Boga dhe Razma në errësirë totale prej tre ditësh – turizmi po shkatërrohet



Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës së mungesës së energjisë elektrike në zonat turistike të Thethit, Bogës, Razmës dhe fshatrave përreth, që sipas tij ndodhen pa drita prej tre ditësh.

Në një postim në Facebook, Boçi e cilësoi situatën “skandaloze”, duke thënë se mungesa e energjisë po dëmton rëndë turizmin dhe ekonominë lokale.

“Prej tre ditësh zemra e turizmit natyror të Shqipërisë është në errësirë totale për shkak të mungesës së energjisë. Pa filluar ende dimri, shteti është dorëzuar totalisht,” shkruan Boçi.

Sipas tij, bizneset lokale rrezikojnë falimentimin, ndërsa banorët jetojnë në kushte afër mesjetës. Deputeti demokrat akuzoi kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si dhe OSHEE-në, për papërgjegjshmëri të plotë, duke e lidhur situatën me “urrejtjen e qeverisë ndaj Veriut” dhe “projektet e errëta për të dëmtuar biznesin vendas”.

“Për një vend që pret të hyjë në Europë, kjo është e paimagjinueshme. Në shtetin e sheikut të Ballkanit, e pabesueshmja është kthyer në normalitet,” shton Boçi, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për “arrogancë dhe dështim”.