
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të shtunën vendosjen e një tarife shtesë prej 10% ndaj importeve kanadeze, duke e cilësuar si përgjigje ndaj një reklame “të rreme” që, sipas tij, keqinterpretonte fjalimin e ish-presidentit Ronald Reagan për tarifat tregtare, përcjell Fox News.
Sipas Trump, reklama – e transmetuar gjatë ndeshjes së parë të World Series të premten – ishte pjesë e një përpjekjeje nga ana e Kanadasë për të ndikuar në qëndrimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së ndaj tarifave që, siç tha ai, “Kanadaja i ka përdorur prej vitesh për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara”.
“Kanadaja u kap në flagrancë duke përdorur një reklamë mashtruese me fjalimin e Ronald Reagan,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social. Ai shtoi se Fondacioni Presidencial “Ronald Reagan” kishte pranuar se reklama përdorte “audio dhe video të zgjedhura në mënyrë selektive”, duke e përshkruar si keqinterpretim të qëllimshëm të mesazhit të ish-presidentit amerikan.
Trump akuzoi qeverinë kanadeze për “mashtrim të qëllimshëm” dhe theksoi se reklama duhej të ishte tërhequr menjëherë, por “u lejua të transmetohej gjatë World Series, me dijeni se ishte një mashtrim”. Si reagim, ai shpalli rritjen e tarifave me 10% mbi produktet kanadeze.
“Për shkak të keqinterpretimit të rëndë të fakteve dhe aktit armiqësor, po rris Tarifat ndaj Kanadasë me 10% mbi nivelin aktual,” deklaroi Trump.
Sipas tij, Fondacioni Presidencial “Ronald Reagan” po shqyrton opsione ligjore për incidentin. Ky vendim i Trump vjen pak ditë pasi ai njoftoi ndërprerjen e negociatave tregtare me Kanadanë për shkak të së njëjtës reklamë.
Më herët gjatë muajit, Trump kishte mbrojtur përdorimin e tarifave si mjet për të korrigjuar “pabarazitë tregtare që kanë dëmtuar SHBA-në prej dekadash”, duke thënë se “Amerika ka qenë mbreti i të mashtruarve nga tarifat, por kjo nuk do të ndodhë më”.