Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali në Bruksel, takime të nivelit të lartë për përshpejtimin e integrimit europian


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Bruksel për një seri takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, në kuadër të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës së saj zyrtare, Spiropali do të pritet nga Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Ajo do të zhvillojë gjithashtu takime me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, dhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, Gert Jan Koopman.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja ndau një foto nga përgatitjet për këto takime, së bashku me Ambasadorin Ferit Hoxha, kreun e Misionit të Shqipërisë në BE.

Ajo theksoi se “nuk ka asnjë minutë për të humbur”, duke nënvizuar angazhimin për të ruajtur ritmin e përshpejtuar të negociatave dhe për të siguruar mbështetje të mëtejshme për transformimin e vendit.

Kjo vizitë vjen në një moment kyç për procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria synon të avancojë më tej në kapitujt e negociatave dhe të konsolidojë mbështetjen politike dhe teknike nga institucionet evropiane.

Takimet në Bruksel pritet të fokusohen në progresin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, administratës publike dhe ekonomisë së qëndrueshme.