
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva deklaroi se ka pasur një takim pozitiv me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në margjinat e samitit të ASEAN-it në Kuala Lumpur, ku të dy palët ranë dakord që ekipet e tyre të fillojnë menjëherë negociatat për zgjidhjen e çështjes së tarifave dhe sanksioneve.
Takimi synon të zbusë tensionet pas vendimit të Trump në gusht për të rritur tarifat mbi shumicën e mallrave braziliane nga 10% në 50%, një lëvizje që ai e lidhi me atë që e quajti “gjueti shtrigash” ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro, përcjell Reuters.
SHBA vendosi gjithashtu sanksione ndaj disa zyrtarëve brazilianë, përfshirë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes.
“Ne ramë dakord që ekipet tona të takohen menjëherë për të avancuar në kërkimin e zgjidhjeve për tarifat dhe sanksionet”, shkroi Lula në rrjetet sociale pas takimit. Trump, nga ana e tij, tha: “Mendoj se mund të arrijmë disa marrëveshje mjaft të mira për të dy vendet.”
Ministri i Jashtëm brazilian Mauro Vieira konfirmoi se negociatat do të nisin menjëherë dhe se është planifikuar një takim me delegacionin amerikan.
Brazili ka kërkuar pezullimin e tarifave gjatë procesit të negociatave, por nuk është e qartë nëse SHBA ka pranuar këtë kërkesë.
Në takim morën pjesë Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer. Bolsonaro nuk u përmend gjatë diskutimeve, sipas zyrtarëve brazilianë.
Industria e mishit në Brazil e ka cilësuar takimin si një hap pozitiv, duke theksuar se “kuptimi mes dy vendeve mund të ruajë konkurrueshmërinë e produktit brazilian dhe të zgjerojë praninë e tij në tregun amerikan.”
Ndërkohë, eksportet e mishit drejt Kinës janë në rritje, ndërsa çmimet në SHBA janë shtuar për shkak të riorientimit të tregtisë globale.
Edhe sektori i kafesë, ku Brazili është eksportuesi më i madh në botë dhe SHBA importuesi kryesor, ka shprehur optimizëm për marrëdhëniet dypalëshe.
ABIC, grupi i industrisë së kafesë, tha se “takimet e fundit mes presidentëve kanë qenë më pozitive dhe ne jemi optimistë.”
Negociatat pritet të përfundojnë brenda pak javësh, me synimin për të adresuar tarifat në sektorët më të ndikuar.