
Dy persona janë arrestuar në lidhje me vjedhjen spektakolare të bizhuterive të kurorës nga Galeria e Apolonit në muzeun e Luvrit në Paris, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe ekspozoi mangësi serioze në sigurinë e një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në botë.
Sipas prokurorisë së Parisit, njëri nga të dyshuarit u ndalua në aeroportin Charles de Gaulle teksa përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë, ndërsa tjetri dyshohet se po planifikonte të largohej për në Mali.
Arrestimet u kryen të shtunën mbrëma, dhe të dy mund të mbahen në paraburgim deri në 96 orë për t’u marrë në pyetje nga policia, përcjell BBC.
Vjedhja ndodhi të dielën e kaluar, kur katër persona të armatosur me mjete elektrike depërtuan në muze në mes të ditës, duke hyrë përmes një ballkoni me ndihmën e një vinçi të montuar në automjet.
Ata arritën të hyjnë në Galerinë e Apolonit përmes një dritareje të katit të parë, ku thyen dy vitrina dhe morën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro.
Mes sendeve të vjedhura ishin një tiarë e mbuluar me diamante dhe perla që i përkiste Perandoreshës Eugenie, bashkëshortes së Napoleonit III, si dhe varësja Marie-Louise dhe një palë vathë.
Disa objekte u lanë pas, përfshirë doreza, një jelek fosforeshent dhe madje edhe një kurorë.
Raportet paraprake tregojnë se një në tre dhoma në zonën e grabitur nuk kishte kamera sigurie, ndërsa kamera e vetme që monitoronte murin e jashtëm ku ndodhi hyrja ishte e drejtuar larg ballkonit.
Drejtoresha e muzeut, Laurence des Cars, pranoi para senatorëve francezë se sistemi i vëzhgimit ishte “i vjetruar” dhe nuk funksionoi siç duhet.
Grabitësit qëndruan brenda vetëm katër minuta dhe u larguan me dy motoçikleta në orën 09:38. Ekspertët e artit kanë shprehur shqetësimin se bizhuteritë mund të jenë copëtuar dhe shkrirë, duke e bërë pothuajse të pamundur rikuperimin e tyre.
Pas ngjarjes, autoritetet franceze kanë forcuar masat e sigurisë në institucionet kulturore, ndërsa disa prej bizhuterive më të çmuara të Luvrit janë transferuar në kasafortën më të sigurt të Bankës së Francës, 26 metra nën tokë në selinë e saj në Paris.