
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili më herët gjatë ditës në podcastin e tij “Flasim” ironizoi kandidimin e aktorit, duke e quajtur “aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur”.
Në reagimin e tij, Binaj e ktheu ironinë ndaj Ramës, duke e cilësuar atë si “aktorin më të madh në Shqipëri”.
“Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë euro qytetarëve duke ‘i bindur’ se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjator!”, shkruan Binaj në reagimin e tij publik.
Më herët, Rama kishte thënë se opozita ishte “kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste”.
Kryeministri shtoi se “nuk e gjykon keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, sepse aktorët me role jetojnë”, ndërsa theksoi se kush voton PS-në, “do të votojë Ogerta Manastirliun për t’i dhënë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë”.
Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës janë dekretuar për datën 9 tetor, ndërsa gara pritet të jetë një nga më të ndjekurat në vend.