
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka bërë me dije se pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë qytetin dhe rrethinat që nga orët e para të mëngjesit, situata është e stabilizuar falë ndërhyrjes së strukturave bashkiake dhe Emergjencave Civile.
Reshjet shkaktuan bllokime në zonat e Bërdicës dhe Gurin e Zi, por ekipet e terrenit ndërhynë menjëherë për të zhbllokuar rrugët dhe menaxhuar prurjet e ujit.
“Menjëherë pas njoftimit, strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, IMT dhe Policia Bashkiake kanë qenë në terren për të zgjidhur problematikat e shkaktuara nga reshjet. Në ndërhyrje janë angazhuar 35 punonjës të shërbimeve publike, 18 efektivë të Policisë Bashkiake, si dhe stafet e Ujësjellësit dhe Emergjencave Civile,” deklaroi Beci në një video-postim në Facebook.
Ai shtoi se situata po monitorohet vazhdimisht për të parandaluar çdo problem të mundshëm në qytet dhe njësitë administrative përreth.