Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa Osmani nga Berlini: Serbia është dorë e zgjatur e Rusisë, synon destabilizimin e Kosovës dhe rajonit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Berlin, ka dhënë një intervistë për Deutsche Welle, ku foli për raportet ndërkombëtare të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe zhvillimet politike të brendshme.

Osmani tha se Kosova ndodhet në fazën e lirisë dhe paqes, por paralajmëroi se këto arritje duhet të mbrohen çdo ditë. Ajo theksoi se pas pushtimit rus të Ukrainës, rreziqet e sigurisë në Europë janë rritur, dhe se shtetet që kanë përjetuar luftë, si Kosova, duhet të jenë veçanërisht të kujdesshme.

“Mbrojtja e lirisë dhe paqes nuk përfundon me një triumf. Ato duhet vazhdimisht të ushqehen dhe mbrohen me çdo kusht, sepse gjithmonë ka forca që duan t’i minojnë këto arritje,” tha Osmani.

Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, presidentja e Kosovës e cilësoi atë si “shtet agresor dhe dorë të zgjatur të Putinit”, duke theksuar se Beogradi po ndjek taktika destabilizuese në rajon.

“Pas shtatorit 2023, kur Serbia tentoi një akt agresioni kundër Kosovës në Banjskë, është e qartë se ajo ndjek planet e Putinit për destabilizimin e Ballkanit. Serbia vazhdon të përdorë metoda hibride, përfshirë edhe sulme ndaj infrastrukturës jetike,” u shpreh ajo.

Osmani u ndal edhe te dialogu me Serbinë, duke theksuar se Kosova ka qenë gjithmonë pala konstruktive, ndërsa bllokimi ka ardhur nga Beogradi.

“Kosova ka pranuar marrëveshjet pa cenuar sovranitetin, por Serbia nuk i ka zbatuar mbi 2/3 e tyre. Nuk kam aspak besim se nga Vuçiçi mund të pritet konstruktivitet,” deklaroi ajo.

Në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Osmani përsëriti se nuk do të pranojë asnjë formë që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Si presidente, nuk pranoj asnjë asociacion që ka kompetenca ekzekutive apo që shkel aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015,” tha ajo.

E pyetur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, Osmani mohoi që Kosova të jetë e izoluar, duke theksuar se vendi ka pasur “dyert më të hapura se kurrë më parë”.

“Është totalisht e pavërtetë që Kosova është e izoluar. Ne kemi qenë të pranishëm në çdo forum ndërkombëtar, përfshirë samitin e NATO-s, ku Kosova nuk ka qenë kurrë më parë e ftuar,” deklaroi ajo.

Sa i përket zhvillimeve të brendshme politike, Osmani tha se nuk dihet ende nëse të dielën do të mbahet seanca për krijimin e qeverisë, pasi kjo varet nga sigurimi i shumicës në Kuvend.

Në fund, presidentja u shpreh se do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën, nëse qytetarët e dëshirojnë këtë.

“Nuk mendoj se ku do të jetë Vjosa Osmani pas prillit, por ku do të jetë Republika e Kosovës. Do të vazhdoj të jap kontributin tim për shtetin, në çdo formë që qytetarët e kërkojnë,” përfundoi ajo.