Vendosni fjalën kyçe....

KQZ miraton listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, i cili do të zhvillohet më 9 nëntor 2025 në 18 komuna të vendit.

Balotazhi do të mbahet në komunat: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këtë raund do të shtypen 1 158 015 fletëvotime, ose rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.
“Ky numër përfshin fletëvotimet për: vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, personat me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe votimin me postë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së pas mbledhjes së fundit.

Në zgjedhjet e rundit të parë, të mbajtura më 12 tetor, KQZ kishte certifikuar listën me mbi 2 milionë persona me të drejtë vote, përfshirë 43 993 votues nga jashtë Kosovës. Ndërkohë, në 20 komuna kryetarët u zgjodhën që në raundin e parë.

KQZ njofton se në rundin e dytë, numri i votuesve është rritur lehtë, pasi 1 690 qytetarë kanë mbushur 18 vjeç që nga raundi i parë, ndërsa 1 147 persona kanë humbur jetën në të njëjtën periudhë.

Në rundin e parë, pjesëmarrja në votime ishte 39.58%, ndërsa në komunat me shumicë serbe, vetëm Kllokoti shkon në raund të dytë. Në nëntë komunat e tjera, fituese rezultoi Lista Serbe, partia që gëzon mbështetjen e Beogradit.