
Më shumë se 60% e tuneleve të Hamasit kanë mbetur të padëmtuara pas luftës, ka zbuluar ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë një takimi me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance gjatë vizitës së tij në Izrael, sipas një raporti të kanalit N12 të premten për Jpost.
Sipas raportit, tunelet e mbetura ndodhen në të dy anët e “vijës së verdhë”, që shënon tërheqjen e pjesshme të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin. Kjo do të thotë se ende ka tunele në zonat ku IDF po vazhdon operacionet.
Katz deklaroi se “shkatërrimi i tuneleve është detyra më e rëndësishme e përbashkët për çmilitarizimin e Gazës, në përputhje me planin e Trumpit”.
Ai shtoi se “duhet të kthejmë të gjithë pengjet e mbetura, të eliminojmë të gjitha tunelet, të marrim armët nga Hamasi dhe të sigurohemi që Hamasi të mos jetë më faktor qeverisës në Gaza.”
Sipas diskutimeve të brendshme të sigurisë të zhvilluara gjashtë muaj më parë, IDF kishte raportuar se deri atëherë kishte shkatërruar vetëm rreth 25% të tuneleve të Hamasit në Rripin e Gazës.