
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar nga Durrësi projektin “TID”, të cilin e cilësoi si një nismë klienteliste që dëmton trashëgiminë historike të qytetit dhe penalizon rreth 1500 familje. Në një deklaratë për mediat, Zhupa akuzoi qeverinë dhe bashkinë për “shkatërrim të pronës publike e private në funksion të interesave korruptive”.
“Jam në qytetin e Durrësit për të denoncuar projektin e famshëm ‘TID’ për rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të disa zonave të qytetit. Në fakt, është një projekt korruptiv dhe klientelist, që nuk ka për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë apo historisë së Durrësit, por krijimin e hapësirave për interesa klienteliste,” – deklaroi Zhupa.
Sipas saj, shumë ndërtesa historike janë parashikuar për t’u shembur, përfshirë dhe objekte me vlera të trashëgimisë kulturore.
“Kjo është një shtëpi që është e kualifikuar nga projekti ‘TID’ për t’u shëmbur. Para këtu ka qenë një tabelë që tregonte se ky mur është otoman i vitit 1500 dhe duhet të mbrohej nga shteti, jo të shkatërrohej prej tij,” – u shpreh deputetja.
Zhupa theksoi gjithashtu se ndërkohë që banesat e vjetra po prishen, “vetëm pak metra larg po ndërtohet një pallat i ri, në një zonë që ishte lulishte dhe shumë pranë shkollës së muzikës ‘Jani Kukuzeli’”.
“Ky projekt nuk ka asnjë arsyetim. Është mbushur me pika të kuqe për shtëpi që duhet t’u prishen durrsakëve të vjetër, njerëzve që përfaqësojnë historinë e këtij qyteti,” – vijoi ajo.
Deputetja e opozitës u shpreh se do ta kundërshtojë këtë projekt në të gjitha format ligjore e politike:
“Do ta çojmë në gjykata, në Parlament, dhe kudo tjetër, sepse Durrësi duhet të ruhet për trashëgiminë dhe identitetin e tij, jo të shkatërrohet për interesa klienteliste.”