Vendimi i Donald Trump për të emëruar Sir Tony Blair në një rol kyç për mbikëqyrjen e Gazës ka shkaktuar kundërshti mes disa shteteve arabe dhe myslimane, duke theksuar sfidat me të cilat përballen planet e mbështetura nga SHBA për të menaxhuar enklavën pasi të përfundojë lufta.
Tre diplomatë i thanë FT-së se disa shtete arabe dhe myslimane kishin shprehur shqetësime për planet për të përfshirë Blair-in në një “bord paqeje” të destinuar për të mbikëqyrur një tranzicion të pasluftës në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, për shkak të mbështetjes së tij për pushtimin e Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.
Diplomatët cituan gjithashtu shqetësime se draft-planet e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar do e kishin margjinalizuar rolin e palestinezëve në drejtimin e Gazës.
Vendet me të cilat Trump është konsultuar për të ardhmen e Gazës përfshijnë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Jordaninë, Katarin, Turqinë dhe Indonezinë.
Diplomatët nuk pranuan të emërtonin se cilat shtete ishin kundërshtuese ndaj emërimit të Blair-it për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
“Disa vende kanë probleme me të për shkak të vizionit ose të kaluarës së tij,” tha një diplomat arab. “Të tjerët mendojnë se do ketë kundërshti ndaj tij nga palestinezët, ndaj ai mund ta ngadalësojë ose të krijojë probleme për marrëveshjen në vetvete.”
Një tjetër diplomat tha: “Reputacioni i Blair-it dhe roli i tij në Irak shihet përgjithësisht si negativ. Pra, varet se si do formësohen gjërat.”
“Aktualisht ekziston një mekanizëm arabo-islamik për të diskutuar qëndrimet, ndaj gjatë diskutimeve pati disa reagime negative,” shtoi ai, duke iu referuar grupimit të vendeve me shumicë myslimane dhe arabe.
Një diplomat i tretë tha se Blair ka marrëdhënie të mira “me elitën, veçanërisht në Gjirin Persik”.
“Por në nivel bazë, është shumë keq për Gazën, sepse që në ditën e parë, nëse vendoset kjo formulë e qeverisjes dhe shfaqen probleme, njerëzit do vënë në shënjestër Blair-in dhe do thonë ‘ai është britanik, po vepron si një fuqi koloniale etj, etj,” shtuan ata.
“Është një mision shumë i vështirë dhe mund të dështojë, ndaj pse të vendosësh dikë që do ta bëjë më të vështirë?”
Blair, i cili shërbeu si i dërguar për Lindjen e Mesme pasi u largua nga Doëning Street në 2007, ishte i vetmi person i emëruar si anëtar i bordit në planin 20-pikësh të Trump-it për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit.
Plani i Trump-it thekson se bordi do përfshijë “krerë shtetesh të tjerë” dhe “do vendosë kornizën dhe do trajtojë financimin për rizhvillimin e Gazës”.
Bordi do mbikëqyrë enklavën derisa Autoriteti Palestinez (AP), i cili administron pjesë të kufizuara të Bregut Perëndimor të pushtuar, të reformohet dhe të mund të marrë në mënyrë “efektive” kontrollin e Gazës.
Ai gjithashtu do mbikëqyrë një komitet palestinezësh teknokratë që do menaxhojnë shërbimet publike në Rrip, të cilin Hamasi e ka kontrolluar që nga viti 2007.
Megjithatë, këtë muaj Trump – i cili do kryesojë bordin – dukej se pranoi se kishte kundërshti ndaj emërimit të Blair-it.
“Dua të zbuloj nëse Tony do ishte i popullarizuar me të gjithë, sepse thjesht nuk e di këtë,” tha Trump.
Administrata e tij është angazhuar ngushtë me shtetet arabe dhe myslimane në formulimin dhe zbatimin e planit.
Uashingtoni pret që ato të ofrojnë pjesën më të madhe të trupave për një forcë ndërkombëtare stabilizimi që do vendoset në Gaza dhe fonde për nevojat masive të rindërtimit të Rripit.
Megjithatë, shumë nga hollësitë ende duhet të zgjidhen.
Një tjetër diplomat tha se shtetet arabe ishin “përgjithësisht skeptike për praninë e një bordi paqeje në përgjithësi”.
Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar po punonte për planet e Gazës për më shumë se një vit në një kapacitet individual duke përdorur Institutin e tij “Tony Blair” për të formuluar ide, përpara se Trump të shpallte nismën e tij.
Një temë qendrore e propozimeve të Blair-it përfshinte një kujdestari ndërkombëtare për enklavën e rrethuar palestineze. Ai u bashkërendua me Jared Kushner, dhëndrin e Trump-it dhe të dërguarin për Lindjen e Mesme gjatë mandatit të parë të presidentit.
Çifti mori pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë me Trump dhe zyrtarët e tij të lartë rreth Gazës në gusht, dhe Kushner ka marrë një rol shumë më të spikatur që kur plani 20-pikësh i presidentit siguroi një armëpushim këtë muaj.
Një aleat i Blair-it tha: “Sigurisht që do ketë kundërshtime nga njerëz të caktuar, por të tjerët e njohin se ai ka luajtur një rol vendimtar në formulimin e planit që i dha fund luftës dhe ai ka mbështetje të fortë mes lidershipit në rajon.”
Zyrtarët arabë dhe evropianë ishin të shqetësuar se planet e Blair-it përqendroheshin shumë tek shqetësimet e Izraelit, do t’i margjinalizonin palestinezët dhe nuk do kishin legjitimitet, pasi ai mbronte qëndrimin që Gaza të drejtohej nga një kujdestari ndërkombëtare, e njohur si GITA (Autoriteti Ndërkombëtar Tranzitor i Gazës), sipas diplomatëve.
Një draft i planit të Blair-it thoshte se bordi ndërkombëtar i GITA-s do ushtronte “autoritetin suprem strategjik dhe politik”.
Aleati i ish-kryeministrit tha se “nocioni se ai po i anashkalon palestinezët është absurd”.
“Përkundrazi, ai ka bërë përpjekje të mëdha për përfshirjen e tyre dhe në mënyrë specifike që Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet, pas tranzicionit, të bashkohen nën udhëheqjen e AP-së,” thanë ata.
Pasi u zbulua plani i Trump-it, Blair e përshkroi atë si “të guximshëm dhe inteligjent” dhe tregoi se do ishte i lumtur të shërbente në “bordin e paqes”.
Shumica e shteteve arabe po bëjnë presion për një rol më të madh të AP-së në Gaza dhe janë të shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ndryshoi planin për të pakësuar referencat ndaj autoritetit. Netanyahu e kundërshton me forcë çdo përfshirje të AP-së në Gaza.
Pas takimit me Blair-in këtë muaj, Hussein al-Sheikh, zëvendëspresidenti palestinez, tha se “ne kemi konfirmuar gatishmërinë tonë” për të punuar me Trump dhe Blair “për të konsoliduar armëpushimin”.
“Ne theksuam rëndësinë e ndalimit të minimit të Autoritetit Palestinez,” tha Sheikh në një postim në X.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
