
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar në rrjetet sociale një video të kryeministrit Edi Rama, të shkëputur nga intervista e tij për programin në shqip të Deutsche Welle, dhënë këtë të shtunë.
Gjatë intervistës, Rama u pyet lidhur me marrjen nën hetim të zv/kryeministres Belinda Balluku nga SPAK, për shkelje të barazisë në tendera. Në përgjigje, kreu i qeverisë deklaroi se “drejtësia ka punën e vet”, duke shtuar se nuk kishte komente të tjera mbi çështjen.
Pas publikimit të intervistës, Berisha reagoi në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin për bashkëpërfshirje në aferën që po hetohet.
“Nuk ka asnjë koment sepse kanë ndarë paratë bashkë!!”, shkroi Berisha në përshkrimin e videos.
Ndërkohë, hetimet ndaj zv/kryeministres Balluku janë në fazën paraprake, ndërsa SPAK ende nuk ka dhënë një qëndrim publik mbi zhvillimet e fundit të dosjes.