Vendosni fjalën kyçe....

“Belinda Balluku simbol i korrupsionit të institucionalizuar, do përfundojë në burg nga partia e vet” – Balliu


Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit është pasqyrë e sistemit të Belinda Ballukut, shkruan deputeti i PD-së Klevis Balliu.

Demokrati thotë se raporti konstaton zhdukjen e kufirit mes partisë dhe shtetit njësoj si në periudhën e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë dhe ilustrim i këtij modeli është zv.kryeministrja Balluku.

Nga “të vjedhim më bukur” te “të vjedhim si Bela”. Raporti i OSBE-ODIHR si pasqyrë e sistemit të Belinda Ballukut. Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit në Shqipëri përmban një nga konstatimet më të rënda të dekadës së fundit: fshirjen e kufirit midis partisë dhe shtetit.

Ky konstatim është dëshmi se Shqipëria ka rrëshqitur përfundimisht drejt modelit të partisë-shtet – një realitet që historia jonë e ka njohur vetëm në periudhat e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dhe që sot është ringjallur në formën e tij bashkëkohore nën drejtimin e Edi Ramës. Një ilustrim i përsosur i këtij modeli është Belinda Balluku – pasqyra më besnike e mënyrës sesi pushteti e përdor shtetin si instrument fushate, ndikimi dhe kontrolli.” – shkruan ai në Facebook.

Balliu shton se zv.kryeministrja Balluku mobilizoi aparatin administrativ në funksion të interesave zgjedhore të PS-së, duke përdorur agresivitet të paparë.

Ai nënvizon se punonjësit e administratës u përballën me shantazhe, kërcënime për largim nga puna ndërsa qytetarët u kërcënuan se nuk do merrnin legalizimet dhe shërbimet publike.

Me një agresivitet politik të pashoq, Balluku mobilizoi të gjithë aparatin administrativ në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste. Punonjësit publikë u përballën me shantazhe: ose bindje politike, ose largim nga puna; qytetarët me presione mbi legalizimet dhe shërbimet publike, ndërsa klima e frikës dhe varësisë zëvendësoi çdo ndjenjë lirie qytetare. Sa për lidhjet me krimin e organizuar, kjo qeveri i ka integruar ato në vetë strukturën e saj. Është e pamundur që personi që administron një pjesë kaq të madhe të buxhetit të shtetit të mos jetë pjesë e zinxhirit të aferave që përbëjnë arkitekturën e korrupsionit qeveritar. – shton Balliu.

Në fund deputeti i PD-së shkruan se Balluku është simbol i korrupsionit të institucionalizuar.

Në vetvete, Belinda Balluku është simboli i korrupsionit të institucionalizuar. Në korridoret e Rilindjes, tashmë nuk thuhet më “të vjedhim më bukur”, por me humor të zi politik është bërë shprehje e përditshme:

Ironia e historisë është therëse: njësoj si gjyshi i saj dikur, duket se edhe mbesa do të përfundojë në burg nga partia e vet. Një tjetër dëshmi kjo se Shqipëria ndodhet sot nën një regjim që po i ngjan përherë e më shumë atij të Enver Hoxhës – një sistem ku partia është ligj, shteti është mjet, dhe qytetari është peng. – mbyll Balliu shënimin në Facebook.