Vendosni fjalën kyçe....

Balluku nën hetim – Rama: Drejtësia bën punën e vet



Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Burime të besueshme bëjnë me dije se Balluku është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën, duke u shoqëruar nga avokati i saj, sipas një shkrese të firmosur nga prokurori i Posaçëm Dritan Priençi.

Fletëthirrja i është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku Balluku aktualisht ushtron detyrën. Hetimi lidhet me procedurat e tenderimeve, ku prokuroria po heton nëse janë shkelur parimet e barazisë dhe konkurrencës.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një interviste për Deutsche Welle, duke theksuar se drejtësia “bën punën e vet”. Ai shtoi se deri sa çështjet të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë janë të pafajshëm dhe nuk duhet të gjykohen nga opinioni publik apo mediat politike.

Hetimi i SPAK ndaj një prej numrave më të lartë të qeverisë “Rama 4” vjen në një moment kur institucionet e drejtësisë po përqendrojnë vëmendjen mbi tenderat dhe procedurat e kontratave publike, ndërsa kjo çështje mund të ketë impakt të madh politik dhe ligjor në vend.