
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 37-vjeçar nga Tirana, i akuzuar për një seri vjedhjesh në disa lagje të qytetit bregdetar. Arrestimi u bë pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Refleksi”.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet V. K., i cili qarkullonte me biçikletë nëpër lagje të ndryshme të Durrësit, thyente xhamat e automjeteve dhe vidhte sende personale nga brendësia e tyre. Më pas, ai përdorte automjetin e tij për të fshehur dhe transportuar sendet e vjedhura.
Pas një pune të gjatë hetimore dhe administrimit të pamjeve filmike, policia e identifikoi dhe e arrestoi në flagrancë teksa tentonte të vidhte në një tjetër automjet. Hetimet kanë zbuluar se ai është autor i të paktën pesë vjedhjeve të ngjashme, të ndodhura në lagjet nr. 6, 8 dhe 12 të qytetit.
V. K. ka vjedhur para, laptopë dhe sende personale nga automjetet në pronësi të disa qytetarëve, ndërsa dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera, për të cilat hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.