
Ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë 6-vjeçarja Nefeli Hazisllari, e cila ishte djegur rëndë nga zjarri që përfshiu banesën e familjes së saj gjashtë ditë më parë në qytetin e Maliqit.
E mitura ndodhej e shtruar në repartin e Pediatrisë prej gjashtë ditësh, në gjendje kritike për jetën. Mjekët e QSUT-së raportuan se ajo kishte marrë djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe ishte mbajtur e intubuar në reanimacion, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të rënda.
Zjarri tragjik ndodhi në banesën e familjes Hazisllari në qytetin e Maliqit, ku flakët i morën jetën menjëherë nënës, 40-vjeçares Rrahime Hazisllari, dhe djalit të saj 13-vjeçar, Lukës.
Sipas dëshmive të para, në momentin e ngjarjes, fëmijët po luanin në kuzhinë mbi një sfungjer, kur në mënyrë të papritur u përhap zjarri.
Rrahime Hazisllari vuri re tymin dhe tentoi t’i shpëtonte fëmijët e saj, duke i nxjerrë nga kuzhina në minutat e para të flakëve. Ajo humbi jetën në derën e kuzhinës, ndërsa djali 13-vjeçar u gjet pa ndjenja jashtë banesës dhe ndërroi jetë menjëherë pasi mbërriti në spital.
6-vjeçarja Nefeli u transportua fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas në QSUT për trajtim të specializuar, por plagët e marra rezultuan fatale.