Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Aeroporti i Vlorës, një koncesion që fluturon mbi ligjin, drejtësia të veprojë pa frikë


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar sot në rrjetet sociale një video nga interpelanca e zhvilluar tre vite më parë në Kuvend për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, duke risjellë në vëmendje një nga aferat më të mëdha të qeverisë Rama.

Në postimin e saj, Tabaku e quan këtë projekt “një koncesion që fluturon mbi ligjin”, duke theksuar se procesi i tenderimit dhe kontrata janë shoqëruar me manipulime, shkelje të hapura dhe mungesë totale transparence.

“Tenderi u ndryshua vetëm 4 ditë para afatit për t’i hapur rrugën fituesit të paracaktuar. Konkurrentët u përjashtuan, dokumentet u falsifikuan dhe garancia e shtetit u kthye në mburojë për klientët e pushtetit”, – shkruan Tabaku.

Ajo shton se, pavarësisht se gjykata ka urdhëruar publikimin e kontratës, qeveria vijon ta mbajë atë të fshehtë, duke pyetur publikisht: “Pse fshihen faktet nëse gjithçka është e ligjshme?”.

Tabaku kujton se sipas kontratës, 138 milionë euro nga xhepat e qytetarëve shqiptarë janë garantuar në rast dështimi të projektit, çka e kthen çdo humbje të mundshme të koncesionarit në barrë për taksapaguesit.

Deputetja demokrate thekson gjithashtu se edhe Bashkimi Europian ka konstatuar shkelje të ligjit dhe të konventave ndërkombëtare për këtë projekt, ndërsa zv.kryeministrja që e firmosi është tashmë nën hetim.

Drejtësia duhet të veprojë pa frikë e pa vonesë. Askush, as ministër, as kryeministër, nuk mund të qëndrojë mbi ligjin,” – apelon Tabaku, duke rikujtuar se prej tre vitesh ka kërkuar transparencë të plotë mbi këtë aferë që, sipas saj, përfaqëson kapjen e shtetit dhe abuzimin me paratë publike.